Lajme

Lajme nga Oda

OTKT dhe FMN diskutojnë çështjet ekonomike

12.12.2025

Një delegacion i Odës Tregtare Kosovaro-Turke (OTKT) zhvilloi një takim virtual me Përfaqësuesin Rajonal të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Vjenë, Sebastian Sosa. Në takim morën pjesë Kryetari i OTKT-së, Abudrrahman Balkız, Drejtori i Përgjithshëm i BKT-së, Suat Bakkal, përfaqësuesit e Güriş Kosova, İbrahim Akyol dhe Amir Zeneli, si dhe Këshilltarja e Tregtisë, Seda Ulukaya.

Gjatë diskutimit, Kryetari i OTKT-së, Abdurrahman Balkız, prezantoi misionin dhe veprimtarinë e Odës, duke vënë në dukje aktivitetet e planifikuara që synojnë nxitjen e zhvillimit ekonomik në Kosovë. Ai theksoi një sërë çështjesh që prekin ekonominë vendore, përfshirë situatën e përgjithshme ekonomike, pasojat e mosformimit të qeverisë për gati një vit, sfidat në sektorin e energjisë, pengesat sektoriale, zhvillimet në sektorin bankar dhe perspektivën ekonomike për periudhën në vijim.

Përfaqësuesi i FMN-së, Sebastian Sosa, u shpreh se boshllëqet në institucionet publike dhe mungesa e qeverisë po ndikojnë negativisht në proceset vendimmarrëse, duke ngadalësuar ritmin e zhvillimit ekonomik. Ai foli gjithashtu për politikat fiskale të qeverisë, infrastrukturën dhe çështjet e investimeve.

Në diskutim u trajtuan edhe migrimi i stafit dhe ndikimi i tranzicionit drejt tregut të lirë të energjisë elektrike në sektorin privat. Të dyja palët theksuan rëndësinë e formimit sa më të shpejtë të qeverisë dhe nevojën për shfrytëzimin e mundësive zhvillimore që i nevojiten ekonomisë së vendit.