Oda Tregtare Kosovaro Turke mbajti Mbledhjen e Rregullt të Asamblesë së Përgjithshme, ku z. Abdurrahman Balkız u rizgjodh për një mandat të ri si Kryetar i Odës.
Më 16 prill 2025, Oda Tregtare Kosovaro-Turke (OTKT) organizoi Mbledhjen e Rregullt të Asamblesë së Përgjithshme dhe Aktivitetin Promovues për anëtarët e saj. Në këtë mbledhje, e cila u zhvillua më 15 prill 2025 në hotelin Emerald, z. Abdurrahman Balkız u rizgjodh unanimisht në krye të Odës për një mandat të ri.
Në fjalën e tij pas rizgjedhjes, z. Balkız falënderoi anëtarët dhe Bordin Drejtues për besimin e dhënë, duke theksuar se Oda dhe kompanitë anëtare vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe Kosovë–Turqi. Ai gjithashtu shtoi se përmes identifikimit të mundësive të reja investuese, është bërë e mundur sjellja e përvojës dhe teknologjisë ("know-how") në vend. Prioritet i këtij mandati, theksoi ai, do të jetë organizimi i një Forumi Ekonomik dhe promovimi i modeleve të suksesshme të Zonave të Organizuara Industriale në Kosovë, bazuar në përvojën turke.
Ambasadori i Republikës së Türkiye në Prishtinë, z. Tunç Angılı, analizoi situatën politike dhe ekonomike globale, duke vënë në pah ndikimin që zhvillimet e fundit mund të kenë mbi Kosovën dhe rajonin. Si President Nderi i OTKT-së, z. Angılı theksoi rëndësinë e rritjes së efikasitetit të Odës përmes aktiviteteve konkrete dhe të qëndrueshme, si dhe nevojën për forcimin e bashkëpunimit me odat homologe të vendeve të rajonit. Ai gjithashtu përmendi mundësinë e nënshkrimit të një Marrëveshjeje Mirëkuptimi (MoU) ndërmjet Türkiye-s dhe Kosovës për zhvillimin e zonave të organizuara industriale, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të këtij procesi në mënyrë profesionale dhe me mbështetjen e qeverisë.
Drejtori Ekzekutiv i OTKT-së, z. Meriton Sunduri, theksoi se Oda ka vijuar zgjerimin e saj duke përfshirë elemente të reja në misionin e saj dhe se gjatë një viti ka pranuar mbi 30 anëtarë të rinj. Ai informoi se në kuadër të Odës janë themeluar tre komitete funksionale: Komiteti Ligjor, Komiteti Financiar dhe Komiteti i Tregtisë, të cilat kanë për qëllim të analizojnë më thellë nevojat dhe mundësitë në secilin sektor. Gjithashtu, Sunduri bëri të ditur se kanë nisur iniciativat për themelimin e një Mekanizmi të Arbitrazhit në kuadër të Odës.
Në pjesën e parë të takimit, disa kompani anëtare si Anglia Academia, Antracit, Balkan Progress Center, CV shpk, D Marketing, Flori Diamonds, Eris Production, Medikal Park Kosova, Mokne, TMS Mobile dhe Van Guard prezantuan aktivitetet dhe mundësitë për bashkëpunim. Më pas, u prezantuan Raporti i Aktivitetit dhe Raporti Financiar nga Sekretari i Përgjithshëm, z.Esin Muzbeg, ndërsa Raporti Ekonomik u prezantua nga ekspertja ekonomike znj. Oaza Binçe.
Pas miratimit të raporteve, u zhvilluan zgjedhjet për përbërjen e re të Bordit Drejtues, i cili përbëhet nga këto kompani anëtare:
1. Atlantik Group
2. BKT
3. Güriş – Air Energy
4. İşbank
5. KEDS
6. Limak Kosova
7. Turkish Airlines (THY)
8. TEB
9. Ziraat Bankası
10. Shkollat Maarif
11. Newco Balkan
12. Simteks shpk
13. Kajmak shpk
14. Albi Comerce
15. KS Group
Anëtarë rezervë:
1. Medikal Park
2. Mokne shpk
--