Oda Tregtare Kosovaro Turke (OTKT), së bashku me Këshillin e Tregtisë priti në takim Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare. Më 20 qershor 2025, të premten, Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, z. Besnik Vasolli, zhvilloi një vizitë pranë OTKT-së dhe Këshillit të Tregtisë, ku u prit nga Këshilltarja Tregtare znj. Seda Ulukaya dhe Drejtori Ekzekutiv i OTKT-së, z. Meriton Sunduri.
Gjatë takimit, palët prezantuan fushat e veprimit të institucioneve, duke diskutuar më tej për mundësitë konkrete të bashkëpunimit të ndërsjellë. Këshilltarja Tregtare, znj. Seda Ulukaya, theksoi se Türkiye dhe Gjermania përbëjnë dy nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër Besnik Vasolli nënvizoi natyrën e fortë të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Türkiye-s dhe Gjermanisë, duke shtuar se Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare është e përkushtuar në promovimin dhe përmirësimin e klimës investuese në Kosovë. Ndërsa, Drejtori Ekzekutiv i OTKT-së, z. Meriton Sunduri, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në çështje me interes të përbashkët për sektorin privat.
Në përfundim të takimit, palët u pajtuan për vazhdimin e komunikimit dhe organizimin e takimeve të tjera në të ardhmen, me qëllim të shkëmbimit të ideve dhe intensifikimit të bashkëpunimit.